Vjen në shqip gjeniu i letërsisë italiane, intelektuali kontroversial Pier Paolo Pasolini

Vjen në shqip gjeniu i letërsisë italiane, intelektuali kontroversial Pier Paolo Pasolini

Në raftin e botimeve të fundit në libraritë e vendit janë shtuar dy tituj të rinj nga Botimet Dudaj. Për herë të parë vjen në shqip regjisori, poeti, shkrimtari dhe intelektuali Pier Paolo Pasolini me romanet “Djem jete” dhe “Jetë e dhunshme”. I njohur gjithashtu si aktor, gazetar, filozof, piktor dhe figurë politike, Pasolini mbetet një nga personalitetet më kontroversiale në Itali për shkak të stilit të shkruarit dhe thyerjes së disa tabuve seksuale në librat dhe filmat e tij. Ai ishte shkrimtari i cili solli në qendër të romaneve një Romë tjetër, jo atë të monumenteve dhe borgjezisë, por Romën e periferive, Romën e nënproletarëve të përjashtuar nga historia. Zëri dhe pena e tij ishte një kritikë e ashpër ndaj politikës së asaj kohe e në të njëjtën kohë pasqyrë e së vërtetës për shoqërinë italiane. Vepra e Pasolinit, si romanet ashtu edhe filmat e tij, shkaktuan gjithmonë shok dhe diskutim publik. E tillë nuk ishte vetëm ajo që Pasolini la pas, por edhe mënyra se si ai u largua nga kjo botë.
Fundi i Pasolit ngjasoi me atë të personazheve të tij. Ai u gjend i masakruar në një nga plazhet periferike të Ostias, a thua se vrasësit e tij do të shpresonin se me vdekjen e poetit do të vdiste gjithçka që ai ngriti, me shpërfytyrimin e tij do të shpërfytyrohej talenti i tij aq sa trashëgimia që la pas nuk do të njihej më. Për 40 vjet emri i Pasolinit u shoqërua me një fund të mistershëm, të zi e të frikshëm. Megjithatë, asgjë nuk mundi të mposhtte faktin e padiskutueshëm se Pasolini është shembulli i një intelektuali që vështirë të gjendet përsëri. Emri i tij radhitet sot në krah të figurave më të shquara të letërsisë dhe kinemasë italiane.
Ju njohim më poshtë me dy romanet e Pier Paolo Pasolini!


1.Jetë e dhunshme
Mes Romës sa të bukur e të kulturuar po aq të errët e të rrezikshme, ky roman vjen si një dëshmi e jetës së dhunshme të banorëve të kryeqytetit të Italisë. Dikur i ri dhe plot shpresë, tashmë Tommaso Pizzilli, i dorëzohet jetës së rrugës, ku i duhet të bëhet pjesë e krimit dhe prostitucionit për të mbajtur frymën gjallë. Shkruar nga një autor i cili në fund të fundit pësoi të njëjtin fat fatal si një nga personazhet e tij, ky roman ofron një portret befasues të tragjedive të vërteta të arfërisë urbane.
Përktheu: Shpëtim Kelmendi
Nr. i faqeve: 412
Çmimi: 1000 lekë

2. Djem jete
Riçeti, Kaçota, Lenceta, Begaloni, Alduçoja e të tjerët janë çunakë nënproletarë romanë. Ata vërshojnë nga borgatat e Romës së viteve pesëdhjetë për t’ia mësyrë drejt qendrës, duke përshkuar një rrugëtim pikaresk të mbushur me ndodhi komike, tragjike, groteske. Në sjelljen e tyre gërshetohet dhuna e papërligjur me bujarinë patetike: Riçeti shpëton një dallëndyshe që po mbytej, por nuk mund të bëjë asgjë për vogëlushin Xhenezio, të cilin e kish marrë përpara rryma e Anienit; Anjoloja e Oberdani rrinë duke parë Marçelon që jep shpirt në spital, sepse qe shembur shkolla ku banonte dhe e kish zënë brenda. Roma monumentale dhe ajo e spekulimeve ndërtimore janë hapësira kontradiktore në të cilat zhvillohet ky lloj riti nistor i një dite të “djemve të jetës”.
Përktheu: Shpëtim Kelmendi
Nr. i faqeve: 296
Çmimi: 1000 lekë