“Ylber hëne” – jeta e një transgjinori nën frikën për të qenë vetvetja

“Ylber hëne” – jeta e një transgjinori nën frikën për të qenë vetvetja

 

“Ylber hëne” vjen në shqip nën përkthimin e shkëlqyer të profesor Edmond Tupes nga shtëpia botuese Pegi. Ky roman ngre pikëpyetje mbi familjen, mbi marrëdhëniet sa të ngushta aq edhe të pakuptueshme mes vëllazërisë, mbi dashurinë dhe qetësinë shpirtore dhe nga ana tjetër mbi gënjeshtrën dhe paragjykimin e të tjerëve.

Adela është sot një vajzë, në fakt ajo ka qenë gjithmonë e tillë, vetëm se lindi në trupin e gabuar, në trupin e një djali. Të vërtetën e saj nuk e di askush, edhe pse ajo nuk ka ndryshuar kurrë qytetin ku lindi. Në rrafshaltë, ai (ishte fizikisht djalë) kaloi fëmijërinë bashkë me vëllanë e tij të vogël. Pas kryerjes së operacionit, ajo (është fizikisht vajzë) rikthehet në qytetin e saj, jeton me të njëjtët fqinjë që u rrit, por ata nuk dinë asgjë për jetën e saj.

Adela nuk ka qenë kurrë motra e madhe. Akseli, vëllai i saj i vogël nuk e kupton dhe nuk pranon t’i flasë. Dashuria e pakufizueshme për njëri-tjetrin është kthyer në asgjë. Prej 10 vitesh, Adela është shoferja e autobusit të shkollës; fëmijët që ajo merr çdo ditë në mikrobuz janë familja e vetme e saj, por nga ana tjetër, ata janë bijë të qytetin ku ajo jeton, janë thashethemët që bëhen, fjalët që thuhen. E  vërteta mbi jetën e Adelës nuk vonon dhe del në shesh; aty romani merr trajta krejtësisht prekëse dhe emocionuese.

“Ylber hëne” sjell jetën e një transgjinori, përjetimet, luftën brenda tij për të qenë vetvetja, për të dalë hapur pa patur frikën se do të paragjykohet apo do të përbuzet. Romani do t’ju bëjë të ndjeni keqardhje mbi shpirtin e një njeriu, do të ndjeni keqardhje për pushtetin e shoqërisë ndaj dashurisë së familjes. Shkrimtarja vjen me një stil të veçantë të të shkruarit. Aty ku ngjarjet bëhën thellësisht dramatike, ajo nuk bërtet, por me penën e saj të prek drejt e në zemër. Kalimi nga përemrat mashkullorë në atë femërorë duken sikur e bëjnë lexuesin disi konfuzë, por në të vërtetë vetëm kështu historia e romanit bëhet shumë reale dhe e prekshme.

“Ylber hëne” është analizuar edhe nga akademikë të ndryshëm ndërkombëtarë, që studiojnë përfaqësimet e transgjinorëve në kulturë. Ai është fitues i Çmimit Europian të Letërsisë (2009), i çmimit Télérama/France Culture, i Çmimit Lavinal të Pranverës së Lexuesve, i Çmimit të Librarëve Francezë, i çmimit Marguerite Audoux, i çmimit Rosine Perrier e të tjerë.

Fragmentet e përzgjedhura 

  • Unë qava goxha, sa për dy, madje sa për tre, atëherë filluam të qeshnim, të qeshnim si budallenj, dhe thosha me vete se të qeshje aq shumë e bashkë me dikë duke kujtuar atë çka njerëzit e quajnë fatkeqësi, kjo duhej të ishte dhuntia e vëllazërisë, dhuntia e të qenit motër e vëlla.
  • Unë do të vendos të rri këtu, sepse këtu është shtëpia ime. E di që koha do t’i fshijë thashethemet, fyerjet. Fjalët e botës do të shndërrohen në diçka që ata pandehin se duhej fshehur, në njëfarë të vërtetë, në të vërtetën timen. Unë isha djalë i këtyre anëve, por kurrë s’u bëra burrë. Isha djalë, por këtu u bëra femër. E di që rrafshnalta është aq e madhe saqë gojët do të lodhen.