“Zonja Benz” – një mësim për martesën, tradhtinë, seksin, moralin, por mbi të gjitha…

“Zonja Benz” – një mësim për martesën, tradhtinë, seksin, moralin, por mbi të gjitha…

Botimet Living kanë sjellë në shqip një libër të mrekullueshëm, romanin “Zonja Benz”, nga autorja e suksesshme amerikane Jill Alexander Essbaum. Një histori e zakonshme në dukje, por që mund të krahasohet me kryeveprat e letërsisë botërore. I konsideruar nga prestigjiozja “Time” si një rimishërim i veprave klasike “Zonja Bovari” dhe “Ana Karenina”, Ana Benz do t’ju ftojë në tradhtitë e saj e do t’ju mbajë në ankth faqe pas faqeje.

“Ana ishte njëbashkëshorte e mirë, zakonisht.”

Kështu fillon ky roman, i cili, që në fjalinë e parë, e intrigon lexuesin dhe e nxit për të zbuluar jetët e familjes Benz. Ana Benz, një amerikane në fund të të tridhjetave, jeton me bashkëshortin zviceran dhe tre fëmijët e tyre në Zvicër, në një vend në të cilin ajo nuk u përshtat kurrë, nuk krijoi miqësi, nuk komunikonte dot, sepse nuk e njihte gjuhën, dhe vazhdonte të ishte e varur ekonomikisht nga i shoqi. Jeta e saj ishte një ndërthurje gënjeshtrash e mashtrimesh, të gjitha në emër të një lumturie të përkohshme për të mbushur boshllëqete jetës.

“Ai nuk i kishte thënë kurrë se nuk e donte. Por ama, nuk i kishte thënë as që e donte.”

Tradhti pas tradhtie, duket sikur Ana arrin t’i ruajë sekretet e saj e t’i mbajë historitë larg syrit dhe veshëve të të gjithë atyre që e rrethojnë, por për sa kohë? Një e papritur tragjike do ta rrëzojë Anën dhe, këtë herë, ajo nuk do të gjejë forca për t’u ringritur. Të gjitha rrjetat e sigurisë që kishte ngritur, nuk e shpëtuan dot, por u shkatërruan në çast, si anija më e sigurt që përfundon në fund të oqeanit apo si raketat kozmike që nuk arrijnë të kthehen në tokë.

“Vjen një çast kur perdet pas të cilave fshihet gënjeshtra, bien. Kanatet e grilave hapen dhe drita e së vërtetës vërshon në dhomë. Çmenduria mund të ndihet gjithandej. Drita thyen xhamin e gënjeshtrave dhe nuk mbetet gjë tjetër për të bërë, veç të tregosh gjithçka.”

Një histori e shkruar mjaft bukur, që të tërheq që në faqet e para e të mban pezull deri në faqen e fundit. Shkrimtarja Jill Alexander Essbaum vjen me një stil të veçantë, duke ndërthurur në roman disa linja, të cilat ndërtojnë figurën e personazhit kryesor.
Një rrëfimtar i cili di çdo gjë…
Një bashkëbisedim pacient – psikolog si një katarsis shpirtëror…
Një paralelizëm i papërsëritshëm i rregullave gjuhësore me rregullat njerëzore…
Këto linja sjellin një roman që do t’ju rrëmbejë në çdo fjali. Gjatë leximit, do t’ju lindin shumë pyetje e njëkohësisht do të merrni shumë përgjigje, por mbi të gjitha, do të mendoni gjatë për konceptin e dashurisë dhe të ndjenjave.

Por cili ishte fati i Ana Benzit?
“…një emigrante tjetër, dikur i pat thënë se trenat zviceranë vonohen vetëm për një arsye: ‘Kur dikush hidhet në shina’.”

Sensual, intensiv dhe i shkruar me saktësinë e një ore zvicerane, romani “Zonja Benz” i autores Jill Alexander Essbaum, është një mësim për martesën, tradhtinë, seksin, moralin, por mbi të gjitha, është një mësim për jetën. Historia e Anës shpaloset me mjeshtëri dhe na tregon se si ndonjëherë ne e gjejmë veten, por ndonjëherë edhe e humbasim atë.

Jill Alexander Essbaum
Jill Alexander Essbaum, e lindur në vitin 1971 në Bay City, Teksas, është një shkrimtare dhe poete amerikane. Ajo dallon për aftësinë e saj për të luajtur me fjalën dhe për humorin e zi. “Zonja Benz” është romani i saj i parë i përkthyer në shqip. Libra të tjerë të saj janë: “Harlot”, “Oh Forbidden”, “Heaven” etj. Essbaum është vlerësuar me shumë çmime, ku ndër të tjera përmendim çmimin “Bakeless” në vitin 1993 dhe “NEA Literature Grants” në vitin 2003 dhe 2013. Aktualisht, ajo është pedagoge në Universitetin e Kalifornisë.